Kavaje Forumi I Qytetit Dhe Miqve Te Saj: Fratari: Pėrse U Rritėn Ēmimet E Apartamenteve - Kavaje Forumi I Qytetit Dhe Miqve Te Saj

Shko tek materiali

Faqja 1 prej 1
  • Nuk mund tė hapėsh njė diskutim tė ri
  • Nuk mund tė pėrgjigjesh nė kėtė diskutim

Fratari: Pėrse U Rritėn Ēmimet E Apartamenteve Vlerėso diskutimin: -----

#1 Anėtar jo nė linjė   kavajoti 

  • Admin
  • Grupi: Admin
  • Postime: 10.894
  • Regjistruar mė : 10-prill 04
  • Location:Italia
  • Gender:Male
  • Reputacioni: 1.477
    titulli: Excellent
  • Dėrguar 22 gusht 2012 - 05:07 MD

    TIRANE-Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", ndërtuesi Hajredin Fratari, njëherësh kreu i shoqatës "Konfindustria", shpjegon faktorët që çuan në rritjen e lehtë të çmimeve të banesave, regjistruar gjatë tre muajve të fundit. Teksa shpjegon se ky gjallërim i lehtë u detyrohet kredive të buta të akorduara nga qeveria, Fratari parashikon se këtë vit tregu ka regjistruar edhe çmimet minimale, gjë që sipas tij vështirë të ndodhë në të ardhmen.
    Si e vlerësoni situatën aktuale të sektorit të ndërtimit? Cili është raporti ofertë-kërkesë në treg?
    Për herë të parë pas një periudhe shumë të gjatë stanjacioni, tregu ka regjistruar njëfarë gjallërie muajt e fundit. Shteti ka dhënë fillimisht 700 kredi të buta për familjet në nevojë, kuotë që më pas shkoi në rreth 1700. Interesat për këto kredi shkojnë nga 0%, në 2% e në 4% me kohëzgjatje 30-vjeçare, dhe nga njerëzit u panë me mjaft interes. Me këto para mund të blejnë shumë mirë apartamente me çmime të pranueshme në zona të caktuara të Tiranës. Kërkesa e këtyre blerësve është që apartamenti të jetë i hipotekuar dhe të jetë me çmim të lirë. Në zonën e Kasharit, për shembull, ku firma jonë po ndërton rreth 1 mijë apartamente, 400 ndër të cilët janë të hipotekuara, kemi thuajse çdo ditë dy-tre klientë të tillë që marrin kopjen e hipotekës së apartamentit, të cilën e paraqesin në bankë për t'iu miratuar kredinë. Sipas një studimi që kemi bërë si shoqatë e Konfindustrisë, na rezulton se kërkesa për apartamente shtrihet në pjesën dërrmuese te çiftet e reja dhe te të pastrehët. Nga censusi i kryer pak kohë më parë rezulton se 330 mijë apartamente janë bosh, pjesa më e madhe e të cilave janë shtëpi të dyta që mbeten të pabanuara. Përveç kësaj, kemi në total një numër prej 40 mijë apartamentesh të pashitura. Në opinionin tim personal, në momentin për të cilin po flasim, pjesa dërrmuese e kërkesës vjen nga shtresat në nevojë. Shteti deri tani ka dhënë 1700-1800 kredi të buta, ndërkohë që vlerësojmë se së paku 3-4 mijë të tjerë do të kërkojnë kredi për banim nga bankat. Ndërkaq bankat kanë marrë një mësim shumë të rëndësishëm gjatë këtyre viteve: Në volumin e përgji-thshëm të kredive të këqija, ato të individëve janë të papërfillshme krahasuar me huatë me probleme të biznesit. Edhe ato ndërtime që iu konfiskuan bizneseve për mosshlyerjen e kredive, bankat janë të paafta t'i shesin. Të gjitha këto na bëjnë të mendojmë se bankat do të tregojnë më shumë vullnet në të ardhmen për të mbështetur me kredi individët.
    Përmendët stokun e apartamenteve; nuk është shqetësues ky stok për një vend si Shqipëria?
    Nuk do ta konsideroja shqetësues. I madh është numri i apartamenteve të pabanuara, që shkon në 330 mijë. Kjo konfirmon atë që thashë më lart: Duke qenë se një pjesë e mirë njerëzish kanë blerë shtëpi të dyta, kërkesa aktuale për blerje mbetet e përqendruar te çiftet e reja dhe te njerëzit që nuk kanë arritur deri tani të përmbushin nevojën për banesë.
    Sa është e vërtete që kemi një kërkesë të konsiderueshme nga shtresa të pasura të shoqërisë që kërkojnë të blejnë apartamente të shtrenjta?
    Sigurisht, ekziston kjo kategori, e përbërë nga një shtresë me nivel të lartë mirëqenieje, por lidhur me kërkesën që vjen nga kjo kategori gjërat komplikohen disi për ndërtuesit. Nga vlerësimet e shoqatës sonë, besojmë se nga kjo kategori vjen një kërkesë për rreth 1 mijë apartamente. Bashkia ka kryer një studim të cilësisë shumë të mirë, i cili do të pasohet nga një bum lejesh ndërtimi. Ndërsa kemi qenë ndër vendet e fundit në botë kur vinte fjala te lejet e ndërtimit, po ndodh e kundërta, do bëhemi vendi i parë në botë. Kësaj i duhet shtuar edhe fakti që një leje ndërtimi tashmë miratohet brenda 55 ditësh. Them se kërkesa që vjen nga kjo shtresë është e komplikuar madje e rrezikshme për ndërtuesit, pasi kompanitë do të joshen nga ky numër i madh lejesh e do nisin ndërtimet pa pasur paratë e nevojshme për t'i përfunduar, me shpresën se do vazhdojnë përpara me paratë e shitjeve.
    Ndërkohë, dihet më së miri që ndërtimi është në krizë të rëndë likuidesh. Si do arrijnë t'i financojnë ndërtimet e reja?
    Janë të gjitha mundësitë që të kthehen te skema e ndërtimit pa pasur asnjë lloj kapitali mënjanë. Dihet tashmë gjerësisht që sektori i ndërtimit është kthyer në atë që ne e përkufizojmë me termin piramidë. Kompaninë që do t'i gërmojë themelet do ta kontraktojë nën premtimin e një apartamenti, kompaninë e hekurit nën premtimin e një dyqani e kështu me radhë. Problemi është se kësaj praktike i ka ikur koha një herë e mirë dhe rrezikojnë të nisin punimet e t'i lënë në mes. Sipas zërave nga qeveria, borxhi i krijuar nga operimi në këtë formë është rreth 200 milionë euro, ndërkohë që përkeqësimi i mëtejshëm mund të sillte efekte mjaft serioze në sektorin e ndërtimit. Kompanitë e ndërtimit janë ngërthyer aq keq në ngërçin e borxheve të ndërsjella me kompanitë partnere, sa rrëzimi i njërës prej tyre do shkaktonte efektin domino në tërë sektorin. Nëse momentalisht kemi një stok ndërtimi prej 40 mijë apartamentesh, në këtë formë do t'i shtohej edhe një stok gropash e karabinash të papërfunduara. Aq më tepër që për këto ndërtime, kërkesa nuk është e qëndrueshme. Bëhet fjalë për apartamente të shtrenjta në zona përreth qendrës së Tiranës, në një kohë që shtresa e pasur e popullsisë po drejtohet gjithnjë e më shumë drejt ndërtimeve rezidenciale nëpër zona në periferi të kryeqytetit.
    Sa i vërtetë është vlerësimi i Bankës së Shqipërisë, sipas së cilës çmimi i banesave është rritur me 4% gjatë këtyre muajve? Është real vlerësimi i Bankës?
    Sektori ndjeu menjëherë rritjen e kërkesës së ardhur prej 1700 kredive të buta të dhëna nga shteti. Vlerësimi i bankës është mëse i saktë. Në dijeninë time, Banka e Shqipërisë ka një grup studimi tepër të kualifikuar.
    Është rritja e parë e çmimeve pas një periudhe mjaft të gjatë kur ishin shënuar rënie, apo stanjacion çmimesh? Si i parashikoni çmimet më pas?
    Më lejoni të ndalem pak te çmimet. Tregu shqiptar ka çmimet më të ulëta në Ballkan, dhe kjo jo falë ndërtuesve, por falë fiskut. Firmës sonë sapo i është miratuar një leje ndërtimi në Kosovë. Ndërsa në Shqipëri paguajmë taksë ndërtimi 9 euro për metër katror, në Kosovë kjo taksë është 60 euro. Tatimfitimi është shumë më i ulët, 10%, ndërkohë që në Kosovë është 20%. Kështu për thuajse tërë gamën e taksave, deri te sigurimet shoqërore për punonjësit. Të gjitha këto na bëjnë të mendojmë se tregu gjatë muajve të fundit ka regjistruar çmimet më të ulta të mundshme dhe se në vazhdim do të shohim vetëm rritje.

    (d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
    0

    Shpėrndaje kėtė diskutim:


    Faqja 1 prej 1
    • Nuk mund tė hapėsh njė diskutim tė ri
    • Nuk mund tė pėrgjigjesh nė kėtė diskutim